Feyenoordi e kaloi sfidën e ndërrimit të trajnerit dhe e mposhti Milanin në Ligën e Kampionëve të mërkurën mbrëma. Me fitoren 1:0 ndaj “rossonerëve”, trajneri Pascal Bosschaart bëri debutim ëndrrash në krye të klubit holandez.
Nga Bosschaarti u kërkua që ta merrte drejtimin e ekipit vetëm afro 48 orë para ndeshjes së parë të plejofit të fazës nokaut të Ligës së Kampionëve.
Dhe fitoren për skuadrën e tij e vendosi goli i minutës së tretë i shënuar nga Igor Paixao.
Feyenoordi e shkarkoi trajnerin Brian Priske të hënën pas formës së dobët, por kjo pati ndikim pozitiv.
“Nuk ëndërroj shpesh, por ky është skenari për të cilin shpreson”, ka pranuar Bosschaart pasi lëvizi nga puna te Feyenoordi U21, tek ekipi i seniorëve.
“Gjërat që stafi i planifikoi dolën të qëlluara dhe është ndjenjë shumë e mirë. Ka qenë meritë e gjithë skuadrës. Dua që t’u jap komplimente të gjithëve. Jemi mbrojtur jashtëzakonisht mirë dhe kishim planin që të sulmojmë nga krahët”.
Feyenoordi përfitoi nga reagimi jo i mirë i portierit të Milanit, Mike Maignan, ndonëse gjuajtja e Paixaos ishte shumë e fuqishme.
Por Feyenoordi kishte edhe shanse të tjera në stadiumin “De Kuip”, me tifozët pasionantë të skuadrës vendëse.
“Djemtë edhe më herët kanë luajtur ndeshje të mëdha, me luftë e pasion. E vetmja gjë është që ta largojmë presionin mbi ta dhe t’u japim vetëbesim. Ne kemi pasur sukses me këtë, por nuk jam unë që duhet t’i marr meritat”, ka shtuar Bosschaart.
Ai ka thënë se fitorja 1:0 ishte hapi i parë. “Nuk do të thotë se jemi të sigurt dhe ne kemi mundur ta fitonim ndeshjen 2:0. Por jemi në një skenar të mirë”, u ka thënë ai gazetarëve.
Kapiteni Quinten Timber shpreson që të jetë i gatshëm për ndeshjen kthyese në “San Siro” pas një jave. Ai ishte larguar nga loja pas 15 minutash dhe kishte ënjtje në gju.
“Pasi u rrëzova në fillim, u ndjeva mirë, por më pas gjërat u vështirësuan. Shpresoj që të mos jetë diçka serioze”.