Portieri ikonik, Manuel Neuer, e ka vazhduar edhe për një vit kontratën me gjigantin gjerman, Bayern. Kontrata e vjetër e Neuerit përfundonte në qershor, ndërsa me kontratën e re ai do të jetë në klubin bavarez deri në verën e vitit 2026. Edicioni i ardhshëm do të jetë i 15-ti me Bayernin për Neuerin.
Ai vlerësohet prej portierëve më të mirë të dekadave të fundit.
“Manuel Neuer është portieri më i mirë i gjeneratës së tij dhe ikonë e Bayernit. Kur flasim për portierë në kohën tonë, flasim për Manuel Neuerin. Dhe kështu është në gjithë botën. Ai është model i padiskutueshëm, brenda dhe jashtë fushës. Jemi të lumtur që ky bashkëpunim unik dhe i suksesshëm vazhdon”, ka thënë Max Eberl, anëtar i bordit të Bayernit.
“E shijoj lojën dhe dua të mbetem te Bayerni. Jam ende i uritur dhe po i gëzohem edhe një viti tjetër te Bayerni. Gjithnjë kemi pasur diskutime të mira. Kjo është ndjenjë e mirë. Ndihem mirë dhe kemi ende shumë synime për të arritur së bashku”, ka thënë Neuer.
38-vjeçari është te Bayerni prej vitit 2011. Për Gjermaninë i ka 124 ndeshje.