Braziliani Neymar ka thënë se ishte ndjenjë e papërshkrueshme paraqitja për Santosin pas 12 vjetësh.
33-vjeçari u kthye te klubi brazilian më 31 janar nga klubi arab Al Hilal, 12 vjet pasi u largua nga skuadra drejt Barcelonës në vitin 2013.
Neymari luajti në tërë pjesën e dytë dhe pati paraqitje të mirë.
Por në fund, Santosi barazoi me Botafogon dhe ndeshja u mbyll 1:1 në “Estadio Vila Belmiro”.
“E dua Santosin”, ka thënë Neymar.
“Nuk kam fjalë për ta përshkruar çfarë ndjeva kur hyra sërish në këtë fushë. Me duhen minuta, ndeshje. Nuk jam ende 100 për qind i gatshëm. Nuk prisja të vrapoja dhe të dribloja shumë. Mendoj se do të ndjehem më mirë pas katër apo pesë ndeshjesh”.
Neymari fitoi gjashtë trofe në karrierë me Santosin, përfshirë edhe “Copa Libertadores” në vitin 2011.
Ai u largua nga klubi me 136 gola të shënuar në 225 ndeshje kur ishte 21-vjeçar.
Neymari u bë futbollisti më i shtrenjtë i të gjitha kohëve kur e la Barcelonën për Paris Saint-Germainin në vitin 2017.
Ai transferim ishte kompletuar për 222 milionë euro.
Pas transferimit te klubi arab Al Hilal, Neymari kishte pësuar dëmtim të ligamentit kryqëzor të gjurit dhe kishte bërë vetëm shtatë paraqitje për këtë skuadër.
Santosi në vitin 2023 kishte rënë nga elita e futbollit brazilian për herë të parë në historinë 111-vjeçare.
Por ka siguruar inkuadrimin në elitë menjëherë pas një edicioni.