Komisioni i Garave i Federatës së Futbollit të Kosovës ka hapur procedurë disiplinore ndaj fizioterapeutit të Malishevës, Ali Bytyqi.

Në raportin e KG të FFK-së shkruan se Bytyqi kishte goditur me grusht në fytyrë Edmond Zeqirin, asistentin e parë të gjyqtarit kryesor Genc Nuza.

Ndeshja Malisheva – Ferizaj u zhvillua të martën në stadiumin “Liman Gegaj” në Malishevë. Malisheva e fitoi ndeshjen e javës së 20-të me rezultatin 3:2.

“Pas përfundimit të ndeshjes, duke hyrë në veturë i afrohet asistentit të parë e ofendon dhe e godet në fytyrë me grusht, mirëpo në vazhdim merr një gurë dhe tenton sërish ta godasë por fal intervenimit të futbollistëve dhe kryetrajnerit të Malishevës u evitua më e keqja (e morën dhe e futën në lokalet zyrtare të klubit). Sipas raportit të zyrtarëve të ndeshjes Malisheva- Ferizaj”, shkruan në njoftimin e Federatës së Futbollit të Kosovës.