mesjavë, Trepça e Bashkimi fituan ndeshjet e zjarrta dhe siguruan kalimin në finale të Kupës së Kosovës në basketboll.
Menjëherë të dielën, si Trepça ashtu edhe Bashkimi kanë derbit e radhës në kampionat. Në program është xhiroja e 20-të e Superligës së Kosovës, ndërsa të gjitha ndeshjet janë të dielën.
Trepça e pret Pejën në “Minatori”, nga ora 19:00. Në termin të njëjtë është edhe ndeshja Bashkimi – Sigal Prishtina, në Prizren. Janë këto katër skuadrat e mëdha të basketbollit kosovar, që xhiroja e 20-të i vë përballë njëra-tjetrës.
Të mërkurën, Trepça fitoi thellë ndaj Sigal Prishtinës dhe u kualifikua në finale të Kupës. Ndeshjen e parë gjysmëfinale e kishte fituar Prishtina, por “xehetarët” bënë përmbysjen e rezultatit. Bashkimi luajti të enjten dhe e mposhti Vëllaznimin e Gjakovës, po ashtu me rezultat të thellë. Edhe Bashkimi bëri përmbysje të rezultatit të ndeshjes së parë.
Bashkimi e Trepça janë dy skuadrat kryesore edhe në Superligë momentalisht. Bashkimi është lider me 33 pikë, një më shumë se Trepça që renditet e dyta. Sigal Prishtina është e treta me 30 pikë, ndërsa Peja e katërta me 29 pikë.
Bashkimi është në seri prej pesë fitoreve në Superligë. Kjo seri bëri që prizrenasit të kthehen në vendin e parë.
Pesë fitore rresht në kampionat i ka edhe Sigal Prishtina. Kështu që të dielën në “Sezai Surroi” në Prizren do të përfundojë seria e njërës skuadër.
Në ndeshjet për Kupë, palestrat në Mitrovicë dhe Prizren ishin të mbushura me shikues. Njëjtë pritet të jetë edhe të dielën.
Për dallim nga Bashkimi e Prishtina, Trepça e Peja kanë humbje në xhirot e fundit. Trepça në xhiron e 15-të humbi nga Bashkimi, në xhiron e 17-të nga Vëllaznimi e në të 18-tën nga Sigal Prishtina. Peja në xhiron e 15-të humbi nga Vëllaznimi. Në xhiron e 18-të nga Golden Eagle Ylli e në xhiron e kaluar nga Sigal Prishtina.
Nga ora 16:00, të dielën, janë ndeshjet Vëllaznimi – Golden Eagle Ylli dhe Proton Cable Prizreni – Bora. Edhe këto dy ndeshje pritet të jenë me shumë rivalitet dhe interesante deri në fund.
Vëllaznimi do të mundohet të reagojë pas eliminimit nga Kupa, ndërsa Ylli të bëj hapin tutje me teknikun e njohur slloven, Alesh Pipan.
Për Proton Cable Prizrenin mund të jetë mundësia e fundit që ta hapë garën për pozitën e parafundit në tabelë. Ndërkohë Bora udhëton në qytetin e vjetër për pikë të reja.
Vëllaznimi është i pesti me 29 pikë, derisa Ylli renditet i gjashti me 27. Bora i ka 25 pikë në pozitën e shtatë, ndërsa Prizreni është i fundit (8) me 23 pikë.
Superliga – XX
E diel
Proton Cable Prizreni – Bora (16:00)
Vëllaznimi – Golden Eagle Ylli (16:00)
Trepça – Peja (19:00)
Bashkimi – Sigal Prishtina (19:00)