Një akt i turpshëm ka ndodhur sot pas përfundimit të ndeshjes mes Vëllaznimit dhe Gjilanit, e vlefshme për Kupën e Kosovës.

Sipas një video që është publikuar në rrjetet sociale, futbollistët e të dyja skuadrave janë përfshirë në një përleshje fizike.

IndeksOnline ka kontaktuar me zëdhënësin e Policisë së Gjakovës, Sheremet Elezi, i cili ka thënë se nga kjo përleshje nuk ka pasur persona të lënduar, derisa në konsultim me Prokurorin e shtetit, policia ka inicuar rast për hetim, për prishje të qetësisë publike.

“Mund t’ju konfirmoj se në përfundim të ndeshjes së futbollit në mes “Vllaznimit” dhe “Gjilanit”, e luajtur në Malishevë, disa nga lojërat e këtyre dy ekipeve dhe disa tifozë, janë përfshirë në një konflikt mes tyre. Nuk është raportuar për të lënduar. Në konsultim me prokurorin e shtetit është iniciuar rast për hetim, për prishje të rendit dhe qetësisë publike.”, ka deklaruar Elezi.

Kujtojmë që Vëllaznimi fitoi ndeshjen ndaj Gjilanit me rezultat 2-1, dhe kaloi në raundin tjetër të Kupës së Kosovës.