Bedirhan Durak ka dhënë dorëheqje nga posti i presidentit te klubi turk Adana Demirspor.
Ky vendim u mor pasi Adana Demirspori u largua nga fusha në ndeshjen e së dielës mbrëma ndaj Galatasarayt.
Adana u tërhoq nga fusha në minutën e 30-të.
Në minutën e 11-të arbitri kryesor i ndeshjes, Oguzhan Çakir, akordoi penallti për Galatën, të cilën në gol e konkretizoi Alvaro Morata për 1:0.
Pati protesta nga mysafirët se penalltia nuk ekzistonte.
Në minutën e 30-të, Yusuf Barasi i Adana Demirsporit u lëndua dhe u shtri në tokë. Gjatë asaj pauze, pas bisedës mes lojtarëve të Adana Demirsporit dhe drejtorit teknik, Mustafa Alper Avci, u vendos që lojtarët të shkojnë drejt dhomave të zhveshjes.
“Kam punuar ditë e natë për të kryer siç duhet punën e presidentit, post që e kam marrë që nga tetori, duke dhënë më shumë se sa duhet nga xhepi, koha dhe shëndeti im. Dua të informojë të gjithë se po largohem nga posti i presidentit që më është dhënë, në radhë të parë për klubin tim, familjen time, të dashurit e mi dhe shëndetin tim, për një të nesërme më të mirë”, ka shkruar Durak.