Rahoveci e ka mposhtur Kastriotin e Ferizajt në derbin e kampionatit elitar të Kosovës në hendboll.

Rahoveci fitoi 41:38 në udhëtim te Kastrioti, në ndeshjen e xhiros së 18-të.

“Vreshtarët” ishin më të mirë gjatë tërë ndeshjes, ndërsa kanë krijuar edhe epërsi deri në nëntë gola.

Prej më të mirëve te kjo skuadër ishte Granit Kadiri me 10 gola në total, ndërsa në fitoren e Rahovecit kontribut dhanë edhe Jon Muqolli me tetë gola, Egzon Gjuka me gjashtë gola e Mali Lusha me pesë gola tjerë.

Te ferizajasit më i miri ishte Lulzim Shabani që pati 11 gola në total. Vendësve nuk u ndihmoi as loja e mirë e Deniz Terziqit dhe Besnik Bytyqit, që shënuan nga tetë gola.

Rahoveci nga 18 ndeshje të luajtura i ka po aq fitore dhe prinë bindshëm në tabelë me 36 pikë.

Kastrioti me 24 pikë mbetet në pozitën e tretë, por e ka një ndeshje më pak të luajtur.

Të enjten mbrëma, Besa Famgasi fitoi në udhëtim te Trepça, 45:34.

Jon Vokshi me 14 gola dhe Elion Vokshi me nëntë gola tjerë, ishin më të mirët te skuadra pejane.

Ardit Halili i pati dhjetë gola, ndërsa Sali Maxhera i shënoi tetë gola në disfatën e mitrovicasve.

Besa Famgas ka 28 pikë në vendin e dytë, ndërsa Trepça e fundit i ka vetëm gjashtë pikë.