Pas tifo-grupit zyrtar të Kombëtares së Shqipërisë në futboll, edhe tifo-grupi Plisat, ka reaguar të enjten pasi UEFA e zyrtarizoi vendimin që Evropiani U21 të vitit 2027 të mbahet në Shqipëri dhe Serbi.

“Federata Shqiptare e Futbollit duhet ta dijë se sporti nuk është i ndarë nga historia dhe as nga ndjenjat e popullit që përfaqëson. Ky vendim nuk është vetëm i pakuptimtë, por edhe antikombëtar. Askush nuk ju dha mandat t’i rehabilitoni kriminelët. Askush nuk ju dha mandat të shkelni mbi dinjitetin tonë. Sporti mund të jetë një urë lidhëse mes popujve, por jo kur ai përdoret për të normalizuar padrejtësinë, fashizmin, fajin e borxhin e shtetit më gjenocid të Ballkanit”, thuhet në reagim të tifo-grupit prishtinas.

Ky grup ka kërkuar që Federata Shqiptare të tërhiqet nga vendimi.

“Ne nuk mund të heshtim përballë një padrejtësie të tillë. Kërkojmë nga Federata Shqiptare e Futbollit ta rishqyrtojë këtë vendim, të tërhiqen nga akti më i turpshëm në histori të sportit shqiptar dhe të mos e shesë dinjitetin tonë kombëtar për interesa të ngushta. Sporti duhet të na bashkojë, por jo duke na detyruar të harrojmë gjakun dhe dhimbjen tonë. Janë dy mënyra për ta kujtuar historinë e popullit tonë. Njëra është përplot dhimbje e vuajtje, tjetra përplot krenari e nder. Asnjërën nuk do të mund ta shkelni ju. Me asnjë organizim tuajin, me asnjë vëllazëri tuajën me gjakësin tonë”, shkruan ndër të tjera në reagimin e Plisave.

Plisat kanë qenë ndër grupet që gjithmonë kanë qenë në tribuna për ta përkrahur Shqipërinë.