Derbi i Madridit është prej ndeshjeve më të zjarrta në elitën e futbollit spanjoll.

Tjetër derbi mes Real Madridit e Atletico Madridit luhet të shtunën nga ora 21:00, në ndeshjen e vlefshme për javën e 23-të të La Ligas.

Disfata e fundit e Realit nga Espanyoli fundjavën e kaluar ka bërë që t’i rrezikohet pozita e parë në tabelë.

Reali pas 22 ndeshjeve të luajtura ka 49 pikë dhe e mban pozitën e parë, me një pikë më shumë se Atletico Madridi i vendit të dytë.

Barcelona e treta ka 45 pikë.

Atletico është pa humbje në pesë ndeshjet e fundit në të gjitha garat, me katër fitore dhe një barazim.

Dy ndeshjet e fundit ndërmjet këtyre dy skuadrave janë mbyllur baras 1:1. Atletico në La Liga fitoi ndaj Realit 3:1 më 24 shtator të vitit 2023, ndërsa fitorja e fundit e Realit ndaj Atleticos në elitën spanjolle ishte më 18 shtator të vitit 2022.

Reali do të jetë në mungesë të David Alabas, Dani Carvajalit, Eder Militaos dhe Antonio Rudigerit.

Tek Atletico të gjithë janë të gatshëm për lojë, përveç mbrojtësit Robin Le Normand që e ka plotësuar numrin e kartonëve të verdhë dhe nuk ka të drejtë loje.

Pas 233 ndeshjeve të luajtura në të gjitha garat, Reali është më i suksesshëm me 118 fitore. Atletico i ka 59 ndërsa 56 herë ndeshjet janë mbyllur baras.

Celta Vigo e pret Real Betisin nga ora 14:00, Athletic Bilbao luan me Gironan nga ora 16:15 dhe Las Palmas ballafaqohet me Villarrealin nga ora 18:30.

Ndërkohë Barcelona të dielën nga ora 21:00 do të luaj në udhëtim te Sevilla.

Barça në dhjetë ndeshjet e fundit në të gjitha garat ka tetë fitore dhe dy barazime.

Sevilla është në vendin e 12-të me 28 pikë .

Të dielën luhen edhe ndeshjet Deportivo Alaves – Getafe nga ora 14:00, Valencia – Leganes nga ora 16:15 dhe Real Sociedad – Espanyol nga ora 18:30.

Xhiroja e 23-të mbyllet të hënën me ndeshjen që fillon nga ora 21:00 ndërmjet Mallorcas dhe Osasunas.