Liverpooli ka bërë hap të gabuar edhe në ndeshjen e dytë rresht si mysafir në Premier League, duke lëshuar pikë të rëndësishme në garën për titull.

Pas barazimit 2:2 me Evertonin më 12 shkurt, Liverpooli me të njëjtin rezultat barazoi edhe të mërkurën mbrëma tek Aston Villa.

Kjo ndeshje i takoi xhiros së 29-të të elitës së futbollit anglez.

Por, u luajt të mërkurën pasi data e parë, ajo e 15 marsit, ishte një ditë para finales së “Carabao Cup”.

Liverpooli në finalen e 16 marsit luan ndaj Newcastlet.

Mohamed Salah shënoi për epërsinë e “të kuqve” në minutën e 29-të.

Për skuadrën e drejtuar nga Unai Emery realizuan Youri Tielemans dhe Ollie Watkins, në minutën e tretë shtesë të pjesës së parë.

Nga humbja Liverpoolin e shpëtoi shënimi i Trent Alexander-Arnoldit, që realizoi me asistim të sulmuesit Salah.

Salah është bërë futbollisti i parë që shënon e asiston në më shumë se 15 gola në Premier League. Për herë të fundit një gjë të tillë e kishte arritur Eden Hazard, në edicionin 2018/19.

Salah në total ka 24 gola e 15 asistime.

Darwin Nunez lëshoi rast të artë në minutën e 69-të për Liverpoolin, ndërsa Aston Villas iu anulua goli i Jacob Ramseyt për pozitë jashtë loje, nëntë minuta para fundit.

Liverpooli pas 26 ndeshjeve të luajtura i ka 61 pikë në vendin e parë, ndërsa Aston Villa ka 39 pikë në vendin e nëntë.