Roma e Porto vlerësoheshin prej skuadrave që mund të triumfojnë në edicionin aktual të Ligës së Evropës.
Tani këtë epitet e ka vetëm Roma që të mërkurën mbrëma e eliminoi skuadrën e madhe portugeze nga gara, pas fitores 3:2 në “Olimpico”.
Ndeshja e parë në Portugali ishte mbyllur baras, 1:1.
Samu shënoi për epërsinë e Portos në minutën e 27-të, por golat nga Paulo Dybala në minutat 35 dhe 39, përmbysën rezultatin në të mirë të vendësve.
Nga minuta e 51-të, Porto mbeti pa Stephen Eustaquion.
Këtë e shfrytëzoi ekipi i drejtuar nga 73-vjeçari, Claudio Ranieri.
Për 3:1 dhe avancimin tutje në 1/8 e finales së Ligës së Evropës, shënoi zëvendësuesi Niccolo Pisilli, shtatë minuta para fundit.
Porto e ngushtoi rezultatin në 3:2 në minutën e gjashtë të kohës shtesë, kur gabimisht në portën e vet realizoi Devyne Rensch, por kjo nuk ishte e mjaftueshme për ta shmangur eliminimin.
Galatasaray ndërkohë është eliminuar pasi në ndeshjen kthyese të fazës nokaut të plejofit, barazoi 2:2 në shtëpi me AZ Alkmaarin. Në Holandë, skuadra e madhe turke u mposht 4:1, dhe eliminohet pas rezultatit të përgjithshëm 6:3.
Shorti për Ligën e Evropës tërhiqet të premten nga ora 13:00.