Skepticizëm, kritika por edhe inkurajim pati në vitin 2023 pas transferimit të Zidan Tairit. Futbollisti 17-vjeçar u largua nga Zurichu për në Hoffenheim të Gjermanisë për të bërë një hap tjetër në karrierën profesionale. Ashtu ka bërë dikur portieri i Zvicrës, Gregor Kobel, i cili shkoi direkt nga Grasshopperi në Hoffenheim.
Kobel nuk ka luajtur kurrë në Superligë, por ka arritur të shkëlqejë jashtë vendit dhe tani është një nga portierët më të mirë në botë.
Dy vjet pas transferimit të Tairit, mund të thuhet se kjo lëvizje ia ka vlejtur pa dyshim për ish-juniorin e Zurichut, babai, nëna dhe motra e të cilit jetojnë në Cyrih.
“Zidani është një lojtar shumë i rëndësishëm në ekipin tonë U19 – që është një nga ekipet më të mira në këtë kategori në Gjermani. Ai është zhvilluar mirë që kur është këtu”, thotë drejtori sportiv i ekipit të Bundesligës, Frank Kramer për “Blick”.
Çfarë e dallon atë? 17-vjeçari ka teknikë dhe kupton shumë mirë lojën. Pasi shënoi 11 gola në edicionin debutues për ekipin U17, ai ka shënuar pesë gola dhe ka dhënë tri asistime në 14 ndeshje deri më tani në ekipin U19 të Hoffenheimit këtë edicion. Ekipi U19 i Hoffenheim është lider dhe Tairi ka luajtur më shumë minuta nga të gjithë lojtarët.
Kontrata profesionale është në diskutim
“Ai është një djalë i zgjuar. I aftë si në sulm ashtu edhe në mbrojtje. Ai e kupton shumë mirë lojën dhe ka aftësitë që i nevojiten”, vlerëson Kramer. “Që kur Zidani ka qenë këtu, ai ka bërë hapin tjetër. Tani është koha për të shkuar më tej. Ne e mbështesim atë. Ashtu si të gjithë rreth tij”.
Kramer, i cili deri para dy vjetësh ishte trajner i Schalkes në Bundesligën 2 dhe ka drejtuar edhe ekipet e të rinjve të Gjermanisë U18, U19 e U20, njeh shumë mirë talentet e reja.
Edhe gjermani konfirmon se i pëlqen Zidani.
A mundet Tairi të marrë së shpejti kontratën e parë profesionale? Të dy palët janë në rrugën e duhur për të gjetur një zgjidhje të përbashkët për të ardhmen afatgjatë.
Krahasimet
Tairi duket se ka bërë hapin e duhur gati dy vjet më parë. Hoffenheim ka vite që po rritet falë punës me të rinjtë.
Maximillian Beier iu bashkua të rinjve të klubit dhe u transferua te Borussia Dortmundi një vit më parë. Së fundmi është zyrtarizuar transferimi i mesfushorit Tom Bischof te Bayerni. Ai gjithashtu vjen nga akademia. Dhe sulmuesi Max Moerstedt është një tjetër talent që vjen nga shkolla dhe aktualisht është në ekipin e Bundesligës.
Mbetet për t’u parë nëse e njëjta rrugë do ta çojë Tairin atje. Shanset janë të mira.
“Krahasimet me Maxi Beier dhe Tom Bischof janë ende shumë herët. Duhet të ecim hap pas hapi. Kur të dy ishin kaq të rinj, njëri ende nuk e dinte se ku po shkonte. Duhet të punosh çdo ditë dhe të kesh mentalitetin dhe qëndrimin e duhur. Atëherë gjithçka është mirë”.