Amir Shaipi në shtator të vitit të kaluar zgjodhi ta përfaqësojë Kosovën.

Portieri Shaipi, i cili luan për skuadrën zvicerane Lugano, me Kosovën e ka zhvilluar një ndeshje.
Shaipi më herët ka luajtur për U20 dhe U21 të Zvicrës.

24-vjeçari Shaipi, i cili ishte i ftuar në emisionin “La Domenica Sportiva”, theksoi se është shumë i lumtur që luan për Kosovën.

Ai tregoi se për vendimin që e mori të luaj për “Dardanët” është konsultuar edhe me selektorin e Zvicrës, Murat Yakin dhe trajnerin e portierëve te helvetikët, Patrick Foletti.

“Për vendimin që ta përfaqësojë Kosovën kam folur shumë herë me familjen time, veçanërisht me vëllezërit e mi, por edhe me Patrick Folettin dhe Murat Yakinin. Në Kosovë po punojnë shumë mirë dhe gjithmonë kanë thënë se më kanë dashur shumë, ndaj jam i lumtur që luaj për Kosovën. Mendoj se është e rëndësishme të jesh në gjendje të luash edhe për një ekip kombëtar”, ka thënë Shaipi.

Shaipi është prej kryesorëve te Lugano, që është lidere në Superligën e Zvicrës.

Ai me klubin zviceran këtë edicion në të gjitha garat ka luajtur në 32 ndeshje.

Shaipi karrierë ka bërë edhe në disa skuadra tjera zvicerane si Schaffhausen, Grasshopper U21 dhe Winterthur U21.