Në 17 ndeshjet e para të edicionit, 33-vjeçari Xherdan Shaqiri ka shënuar gjashtë gola dhe ka asistuar në 11 të tjerë. Megjithatë, për t’u bërë më i miri për gola e asistime Shaqiri ende është larg

Kjo është mënyra e saktë se si Xherdan Shaqiri e ka imagjinuar kthimin te Baseli. 

Me tetë gola e 12 asistime në të gjitha garat, organizatori i lojës ka pasur rol të madh te Baseli, që e synon titullin sërish. Vetëm në ligë, ai ka qenë i përfshirë në 17 gola në 17 ndeshje. Kjo do të thotë se Shaqiri është vetëm dy gola larg barazimit të rekordit nga edicioni i kaluar, shkruan gazeta zvicerane “Blick”. 33-vjeçari Renato Steffen në edicionin 2023/2024, i kishte gjashtë gola e 13 asistime. Pra ishte i përfshirë në 19 gola.

Shaqiri është afër që ta arrijë këtë rekord, por shumë larg rekordit të përgjithshëm. Në 21 edicione, qëkur Superliga nisi në edicionin 2003/2004, më të mirët vetëm njëherë kanë pasur më pak se 26 gola e asistime së bashku. 

Kroati Mladen Petriq në edicionin 2006/2007, ishte i përfshirë në 21 gola.

Stephane Chapuisat e vendosi rekordin për Young Boysin në edicionin e parë të Superligës. Ai kishte shënuar 24 gola në edicionin 2003/2004, ndërsa kishte asistuar në 19 të tjerë. Ishte i përfshirë në 43 gola brenda një edicioni, shifër të cilën Shaqiri është larg ta arrijë. 

Ai duhet të përfshihet edhe në 26 gola në 17 ndeshjet e fundit të kampionatit. Duhet përmendur edhe faktin se futbollisti që u kthye në verë, mungoi në katër ndeshjet e para të edicionit. 

Gazeta zvicerane ka përmendur edhe faktin se Superliga e Zvicrës kur u vendos rekordi kishte edhe dy ndeshje më shumë. 

Chapuisat kishte shënuar apo asistuar mesatarisht çdo 70 minuta, ndërsa Shaqiri është i përfshirë në golat e Baselit me mesatare prej 75 minutave. 

Nëse Shaqiri dëshiron të vendosë rekord, ai duhet të koncentrohet në asistime. Ai i ka 11 asistime pas 21 xhirove. Kjo nuk është e mjaftueshme për rekord. 

Tetë herë lojtarë të elitës zvicerane kanë pasur më shumë asistime pas numrit të njëjtë të ndeshjeve të zhvilluara deri në këtë pikë të kampionatit. 

Rekordin pas 21 ndeshjeve me asistime e mban Miroslav Stevanoviq, që kishte 15 asistime. Ai kishte vetëm edhe pesë asistime deri në fund të edicionit. Por, me 20 asistime vendosi rekord në Superligën e Zvicrës.

Nëse Shaqiri e vazhdon këtë ritëm, mund ta thyejë të paktën këtë rekord.