Trajneri i Liverpoolit, Arne Slot, ka thënë se do të flas me Darwin Nunezin pasi ka mbetur i dëshpëruar me paraqitjen e tij në fushë pas rastit shumë të mirë e të humbur në duelin ndaj Aston Villas.

“Të kuqtë” lëshuan edhe dy pikë të tjera në udhëtimin tek Aston Villa në Premier League, pasi ndeshja u mbyll 2:2.

Villa kishte shanse për ta fituar ndeshjen, por humbja e rastit për të realizuar në portën e zbrazët nga Nunez pak pasi Liverpooli i barazoi shifrat, e ka lënë shumë të dëshpëruar teknikun holandez.

“Mund ta pranojë çdo humbje të rastit, sidomos nga një lojtar që shënon dy gola të rëndësishëm ndaj Brentfordit dhe ndaj Villas në shtëpi. Do të preferoja që ai të shënonte por fjala ‘shans’ shpjegon gjithçka. Ishte shans kështu që nuk është e qindpërqindtë nëse topi hyn brenda në portë dhe lojtarëve u ndodh kjo. Ajo që ishte e papranueshme për mua ishte sjellja e tij pas asaj shanse. Mendoj se kishte shumë mendime në kohë dhe nuk ishte Darwini i zakonshëm që punon fort në lojë dhe e ndihmon ekipin. Mendoj se ishte shumë i zhgënjyer që e humbi atë shans. Ai duhet ta ketë të njëjtën mendësi si Wataru Endo, që për gjithë sezonin nuk ndalet së luajturi kurdo që ne kemi nevojë për të. Mesazhi më i rëndësishëm është se mund ta humbësh një rast, por nuk duhet ta humbësh përkushtimin”, ka deklaruar Slot në konferencën për shtyp, para ndeshjes në udhëtim te Manchester City.

Manchester City – Liverpool luajnë të dielën nga ora 17:30.

Ndeshja i takon xhiros së 26-të.