Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, ka paralajmëruar se të martën pritet vendimi që Federata Shqiptare e Futbollit dhe Federata e Futbollit të Serbisë ta organizojnë Evropianin U21 të vitit 2027. Shorti i kualifikimeve do të tërhiqet të enjten. Ka kohë që iniciativa e përbashkët e FSHF-së dhe federatës serbe kritikohet ashpër. Kjo bëri që në javët e muajt e fundit të ketë fare pak informata nga dy federatat, por edhe nga UEFA
Të enjten prej orës 9:00 është ceremonia e tërheqjes së shortit të kualifikimeve për Kampionatin Evropian të vitit 2027 për futbollistët deri në 21 vjet. Por Konfederata Evropiane e Futbollit (UEFA), ende nuk ka vendosur se ku do të mbahet ky Evropian. Të paktën nuk ka vendim publik për këtë.
Kandidaturën e vetme për ta organizuar Evropianin 2027 për grupmoshën U21 e kanë paraqitur Federata Shqiptare e Futbollit dhe Federata e Futbollit e Serbisë. Kandidatura e FSHF-së dhe federatës serbe është e përbashkët. Pra pritet që Shqipëria e Serbia ta organizojnë Evropianin e 21-vjeçarëve, ndonëse një ide e tillë është kundërshtuar fuqishëm në Shqipëri e sidomos në Kosovë.
Kundërshtimi mund të jetë prej arsyeve që UEFA nuk ka vendosur ende zyrtarisht se ku do të zhvillohet Evropianin 2027, apo që të paktën nuk ka njoftuar zyrtarisht.
“Shorti i fazës grupore të kualifikimeve për Kampionatin Evropian 2027 për grupmoshën U21 do të transmetohet direkt të enjten, më 6 shkurt, nga ora 9:00. Procedura e plotë do të konfirmohet para ceremonisë”, shkruan në njoftimin e UEFA-s.
KOHA ka pyetur disa herë UEFA-n lidhur me vendimin për të caktuar nikoqirin, apo nikoqirët e këtij Evropiani. Por nuk mori përgjigje. Nuk janë përgjigjur as FSHF-ja dhe federata serbe.
Vendimi në fakt pritej në dhjetor. Por caktimi i organizatorit apo organizatorëve të Evropianit 2027 për Shpresa, nuk ishte në agjendën e Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s.
Zakonisht organizatorët e një ngjarjeje të UEFA-s caktohen para se të tërhiqet shorti i kualifikimeve.
Kështu pritet të ndodhë edhe për Evropianin 2027. Këtë të paktën e ka paralajmëruar presidenti i FSHF-së, Armand Duka në ceremoninë “Topi i Artë 2024”, të cilën Federata shqiptare e organizoi më 27 janar.
“Ne mezi presim të mësojmë vendimin për kandidaturën tonë për të qenë një nga dy vendet mikpritëse për Kampionatin ‘Euro 2027 U21’, që do të merret nga Komiteti Ekzekutiv i UEFA-s më 4 shkurt. Një nga objektivat tona si federatë është të sigurojmë që Shqipëria të jetë e gatshme të presë turne sportivë prestigjiozë si ky, që kanë potencialin për të transformuar futbollin në vendin tonë e për të krijuar një trashëgimi të qëndrueshme për brezat e ardhshëm”, ka thënë Duka.
Në maj të vitit të kaluar Federata Shqiptare e Futbollit njoftoi për kandidaturën e përbashkët me Federatën e Futbollit të Serbisë për të organizuar Evropianin e 21-vjeçarëve. Prej atëherë presidenti i FSHF-së, që është edhe njëri nga nënpresidentët e UEFA-s, ka mbrojtur shumë herë vendimin për kandidaturë të përbashkët. Madje Duka kishte thënë se prej Evropianit përfiton edhe Kosova.
“Mesazhi është pozitiv. Jam i sigurt që Kosovës deri më 2027 do t’i kontribuojë në statusin e saj. Është një gjest pozitiv, një mesazh paqeje dhe një mesazh bashkëpunimi”, kishte thënë Duka në një intervistë të 16 tetorit.
Por kritikat ndaj tij e ndaj FSHF-së ishin të shumta. Më të ashpër në reagim ishin tifozët zyrtarë të Shqipërisë, Tifozat Kuq e Zi. Ata madje kanë protestuar në forma të ndryshme. Ka kundërshtuar edhe kapiteni ikonik i Shqipërisë, Lorik Cana.
Federata e Futbollit e Kosovës nuk është deklaruar publikisht për iniciativën, ndonëse kjo i është kërkuar vazhdimisht. Nëse zyrtarizohen si nikoqire, Shqipëria e Serbia U21 nuk pritet të jenë në kualifikime.
Por Shqipëria A do të përballet me Serbinë në kualifikimet për Kupën e Botës 2026. Dhe tensionet nuk pritet të mungojnë.