Në ndeshjen e kampionatit të Bosnjë-Hercegovinës në futboll në mes të Sllogës së Dobojit dhe Velezhit të Mostarit ka pasur thirrje anti-Kosovë. 

“Radio Sarajeva” ka njoftuar të dielën se tifozët e Sllogës kanë thirrur “Kosova është zemra e Serbisë”. Ndeshja përfundoi pa gola, ndërsa i takoi xhiros së 18-të të elitës së Bosnjë-Hercegovinës. 

Doboji është qytet në Republika Srpska, i banuar kryesisht me serbë. Tifozët e Sllogas kanë qëndrim të qartë anti-Kosovë, por edhe anti-Bosnje.

“Thirrjet janë dëgjuar disa herë shumë qartë gjatë pjesës së parë të ndeshjes. Por ndeshja nuk është ndërprerë, ndonëse thirrjet janë dëgjuar edhe në transmetim televiziv. Ndonëse thirrjet ishin të pakëndshme, delegati dhe gjyqtarët vendosën të mos e ndërpresin takimin”, ka njoftuar Radio Sarajeva.

Ky medium ka shkruar se në të kaluarën janë ndërprerë ndeshje kur ka pasur simbole e thirrje pro-boshnjake.