Më 22 maj të vitit të kaluar, Ademola Lookman, shënoi “hat-trick” për të ndihmuar Atalantan që ta fitojë Ligën e Evropës. 273 ditë më pas, Lookman është simbol i dështimit të Atalantas në Ligën e Kampionëve.

Ekipi italian të martën humbi 3:1 nga Brugge. Kampioni belg i shënoi tre gola në pjesën e parë. Në pjesën e dytë u aktivizua Lookman dhe pas vetëm 35 sekondave ai shënoi për 3:1.

Nigeriani i rritur në Angli, pesë minuta më pas mori përgjegjësinë për të gjuajtur nga pika e bardhë. Por gjuajtjen e tij e ndali portieri me përvojë, Simon Mignolet.

Trajneri i Atalantas, Gian Piero Gasperini ka thënë se Brugge i shfrytëzoi më mirë rastet. Në konferencë foli edhe për sulmuesin Lookman.

“Lookman nuk është dashur ta gjuajë penalltinë, ai është prej lojtarëve që i gjuan më së keqi penalltitë”, ka thënë Gasperini.

“Ka bilanc të tmerrshëm, edhe në stërvitje. I realizon pak prej penalltive. Retegui dhe De Ketelaere ishin të gatshëm, por Lookman, në momentin e entuziazmit pas golit, vendosi të marr topin. Ishte një veprim që nuk më pëlqeu fare”, ka shtuar Gasperini.