Një nga golat më të shpejtë në historinë e Ligës së Kampionëve nuk i mjaftoi Milanit për të arritur në raundin e 16-të të kësaj gare.  

Goli i Santiago Gimenez pas vetëm 37 sekondash emocionoi “San Siron”, por një karton i dytë i verdhë për Theo Hernandez e prishi mbrëmjen.  

Më pas, goli i Julian Carranzas i dha goditjen përfundimtare Milanit.  Si rezultat, ëndrra e Milanit për një derbi të mundshëm kundër Interit apo Arsenalit ka përfunduar.

Milani po ashtu humbet 11 milionë euro të lidhura me kalimin në raundin tjetër. 

“Sonte, një goditje e pabesueshme për sezonin e Milanit. Unë nuk kam parë kaq shumë gabime në një ndeshje me nokaut me dy përballje për një kohë të gjatë”. 

“Ato nuk mund të pranohen apo justifikohen, veçanërisht Theo Hernandez duke pasur parasysh përvojën e tij”.  

“Ky ka qenë viti më i keq i karrierës së tij, dhe sonte ishte qershia në krye. Mund të themi me siguri se eliminimi i Milanit është për shkak të Theo Hernandez”, ka thënë Costacurta.