Edicioni 2024/2025 nuk ka qenë i Vedat Muriqit. 

Sulmuesi i Kosovës, që ka qenë pikë referuese në ekipin e Mallorcas, po kalon në formën më të dobët qëkur u transferua në ishull, në vitin 2022. 

Shifrat e tregojnë këtë dhe lojtari është i vetëdijshëm, ka shkruar mediumi i njohur spanjoll “AS” të mërkurën. 

Sulmuesi shtatlartë ka thënë se edicioni nuk po shkon mirë për të dhe shpreson që ta kthejë formën e mirë në pjesën e mbetur të kampanjës. 

Ai më herët ka thënë se dëshiron të pensionohet te Mallorca, skuadër me të cilën ka kontratë deri në vitin 2027. 

Deri tani, në 22 ndeshje në La Liga, “pirati” ka realizuar vetëm tri gola e dy asistime. Po ashtu është përjashtuar dy herë. 

Nga 22 ndeshje të ligës, Muriqi i ka luajtur 17 në total, 13 prej të cilave si startues dhe katër herë është inkuadruar në lojë nga banka rezervë. 

Ai i ka luajtur 1202 minuta nga 1980 në total dhe i ka kompletuar vetëm shtatë ndeshje.

E mori edhe një karton të verdhë, krahas dy kartonëve të kuq. 

Muriqi madje e ka shkaktuar një penallti në favor të ekipit kundërshtar, shkruan tutje mediumi spanjoll. 

Mungesat kanë qenë për shkak të kartonëve të kuq dhe një lëndimi muskulor. 

Ajo që nuk mund të mohohet është puna e tij e palodhshme, ndërsa synimi i sulmuesit është ta përmirësojë formën e ekipit dhe atë individuale. 

Muriqi është i vetëm në sulm. Bashkë me Cyle Larinin nuk po përshtatet në fazën sulmuese dhe për këtë trajneri Jagoba Arrasate duhet të gjej zgjidhje.