Real Madrid nuk dorëzohet kurrë – dhe këtë mentalitet madrilenët po e përforcojnë edhe përballë një sfide madhore si ajo e së mërkurës në “Emirates”, ku do të përballen me Arsenalin në ndeshjen kthyese të çerekfinales së Ligës së Kampionëve.
Pas humbjes bindëse 3-0 në Madrid, “Los Blancos” kërkojnë një rikthim historik, dhe sipas gazetarit të afërt me klubin, Edu Aguirre, skuadra është në përgatitje të një videoje emocionale dhe motivuese që do t’i lëshohet lojtarëve pak para daljes në fushë.
“Real Madrid është duke përgatitur një video emocionuese motivuese që do t’ua lëshojë lojtarëve të mërkurën mbrëma… do të ndodhë para ndeshjes së Arsenalit”, zbulon Aguirre.
Kjo është një praktikë që Real Madridi e ka përdorur edhe në të kaluarën në ndeshje me përmbysje epike, duke i nxitur futbollistët që të besojnë deri në fund. Përballja me Arsenalin pritet të jetë një “betejë e madhe”, ku çdo detaj do të ketë peshë, nga motivimi psikologjik e deri te qetësia në fushë.
Arsenal, me dy supergola nga Rice dhe një perlë nga Merino në takimin e parë, ka një epërsi të konsiderueshme, por historia e këtij kompeticioni ka treguar se Real Madridi është gjithmonë Real Madrid, sidomos kur është me shpatulla për muri.
Ndeshja kthyese luhet të mërkurën mbrëma në “Emirates Stadium”, dhe është vendimtare për fatin e dy prej skuadrave më të mëdha të Evropës.

























