Prishtina ka vazhduar me fitore. Pas kampanjës dëshpëruese në kualifikimet në garat evropiane, në Ligën e Evropës dhe Ligën e Konferencës, “bardhekaltrit” kanë vazhduar me rezultate pozitive në Superligë. 

Prishtina ka shënuar fitore të thellë në derbin ndaj Llapit. Të dielën mbrëma në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, Prishtina fitoi 3:0 ndaj Llapit. 

Mario Ilievski realizoi në minutën e 37-të për 1:0. Më pas në minutën e 58-të, nga penalltia realizoi Rin Ahmeti. Valmir Veliu ishte i saktë po ashtu nga pika e bardhë në minutën e dhjetë të kohës shtesë. Veliu për shkak se ishte për kohë të gjatë te Llapi, nuk festoi pas golit të shënuar. 

Prishtina me këtë fitore mbetet në krye të tabelës me gjashtë pikë nga dy ndeshje, aq sa ka edhe Ferizaj në vendin e dytë. 

Llapi mbetet me një pikë në vendin e tetë.

Ndërkohë Ferizaj të dielën fitoi 1:0 në udhëtim te Prishtina e Re, skuadra që në Superligë luan për herë të parë në histori. 

Ndeshja u zhvillua në stadiumin “Sami Kelmendi” në Lipjan. Fitore të dielën realizoi edhe Dukagjini, që fitoi 2:0 ndaj Gjilanit. 

E vetmja ndeshje që u mbyll baras ishte ajo mes Ballkanit dhe Malishevës. Dueli i zhvilluar në Suharekë përfundoi 1:1. 

Ndeshja Drita – Drenica është shtyrë. Kjo ndeshje është dashur të zhvillohej të dielën në Gjilan, por u shty për shkak të angazhimit të Dritës në kualifikimet e Ligës së Konferencës.

Drita të enjten e luan në Luksemburg ndeshjen kthyese të plejofit të Ligës së Konferencës ndaj Differdanget.

Ndeshjen e parë në Prishtinë, Drita e fitoi 2:1. Në rast se Drita kualifikohet në Ligën e Konferencës, do të bëhej pas Ballkanit skuadra e dytë që siguron paraqitjen në Ligën e Konferencës, garës së tretë të UEFA-s për nga rëndësia.