Manchester City nuk ka gabuar në nisje të fazës së ligës në Champions, duke e fituar xhiron e parë 2:0 ndaj Napolit.

Ndeshja u zhvillua në “Etihad Stadium”, aty ku Kevin De Bruyne u prit me padurim.

De Bruyne e kaloi një dekadë me skuadrën e kaltër dhe i fitoi plot 19 trofe.

Por, kthimi i tij në këtë stadium nuk shkoi si duhet.

Pas kartonit të kuq të kapitenit Giovanni Di Lorenzo në minutën e 21-të, trajneri Antonio Conte bëri zëvendësim të detyruar. Di Lorenzo u ndëshkua për ndërhyrje të palejuar në Erling Haalandin, si futbollist i fundit. Kartoni direkt i kuq u dha pas rishikimit të situatës në VAR.

Pesë minuta më vonë, De Bruyne doli nga loja, por skuadra e tij u mbajt mirë në pjesën e parë.

Golat e fitores, ekipi i udhëhequr nga Pep Guardiola, i shënoi në minutën e 56-të dhe të 65-të.

Fillimisht, norvegjezi Haaland me kokë realizoi për 1:0 pas asistimit të shkëlqyer të Phil Fodenit. Për Haalandin ishte goli i 50-të në Ligën e Kampionëve, në 49 paraqitje.

Golin për 2:0 e shënoi Doku, pas një veprimi të shkëlqyer individual në zonë.

Te Napoli në këtë ndeshje nuk luajti Amir Rrahmani. Kapiteni i Kosovës ka munguar shkaku i lëndimit të pësuar sa ishte i angazhuar me “Dardanët” në ndeshjet kualifikuese të Botërorit 2026.