Arbër Hoxha luajti vetëm pjesën e parë. Por mjaftueshëm për të udhëhequr Dinamo Zagrebin drejt fitores së thellë, 4:1, ndaj Slaven Belupos.
Ndeshja e së dielës mbrëma i takoi xhiros së tetë të elitës kroate.
Reprezentuesi i Shqipërisë shënoi supergol në minutën e 41-të për 1:0. Në minutat shtesë të pjesës së parë, sulmuesi i krahut asistoi për 2:0.
26-vjeçari është në moment të shkëlqyer. Ndaj Hajdukut, në derbin e madh kroat, shënoi gol në fitoren 2:0. Më pas asistoi dhe shkëlqeu në fitoren 3:1 ndaj Fenerbahçes në Ligën e Evropës.
Dinamo është lider i kampionatit kroat me 19 pikë.



























