Muhamet Hyseni mori duartrokitjet e shikuesve të Llapit pas largimit nga fusha në minutën e 92-të të ndeshjes kundër Drenicës.

Katër minuta para se të zëvendësohej, sulmuesi Hyseni shënoi golin e fitores për Llapin në ndeshjen dramatike të javës së dhjetë të Superligës që u zhvillua të dielën në stadiumin “Zahir Pajaziti” në Podujevë.

Llapi e fitoi 4:3 ndeshjen e javës së dhjetë të Superligës së Kosovës në futboll.

Tri golat tjerë për Llapin i shënuan Ilir Blakqori (4’), Alex Gnapi (20’) e Edon Zeiqi (77’).

Për Drenicën dy gola i shënoi Kreshnik Uka (5’, 59’) dhe Jeton Krasniqi (43’).

Drenica në minutën e 68-të humbi penallti. Gjuajtjen e Igball Jasharit e priti portieri i Llapit, Marijan Çoriq.

Për llapjanët ishte fitorja e tretë këtë edicion. Zë vendin e pestë me 13 pikë, sa ka edhe Malisheva një pozitë më poshtë.

Drenica bie në vendin e shtatë me 11 pikë. Pikë të njëjta me Drenicën ka edhe Gjilani në vendin e tetë.