Suedia humbi 0–1 në shtëpi ndaj Kosovës në ndeshjen kualifikuese për Kampionatin Botëror. “Blågult-ët” mbeten me vetëm një pikë pas katër ndeshjeve të zhvilluara, por përzgjedhësi i kombëtares, Jon Dahl Tomasson, nuk do të japë dorëheqje.
“Kam kontratë me Federatën Suedeze të Futbollit,” tha ai për Viaplay.

Suedia ndodhet në pozitë të vështirë me vetëm dy ndeshje të mbetura për t’u luajtur dhe me pak pikë — ekipi është plot gjashtë pikë prapa Kosovës që mban vendin e dytë, pozitë që garanton pjesëmarrjen në “playoff”-in e Kampionatit Botëror në mars. Zvicra kryeson grupin me dhjetë pikë.

“Sigurisht që jam shumë i zhgënjyer. E urrej këtë. Nuk mund të jesh i kënaqur kur sheh një paraqitje të tillë. Kemi pasur shumë raste, por duket sikur kemi harruar si të shënojmë gola,” tha Jon Dahl Tomasson për Viaplay.

Përzgjedhësi tha se ndien se ende ka besimin e lojtarëve dhe se ata besojnë në idenë e tij të lojës.

“Shumica e lojtarëve e kanë thënë vetë këtë.”

Kur u pyet nëse ai është trajneri i duhur për ta çuar përpara ekipin, ai u përgjigj:

“Kam kontratë me Federatën Suedeze të Futbollit dhe jemi në mes të kualifikimeve për Kampionatin Botëror. Sigurisht që kjo nuk është e mjaftueshme — një rezultat i tmerrshëm sonte,” tha Jon Dahl Tomasson.

“Dhemb shumë. Ne dhamë një gol të thjeshtë dhe kemi harruar si të shënojmë. Nuk është aspak e mjaftueshme,” përfundoi Tomasson.