Arsenali e ka fituar ndeshjen kryesore të xhiros së pestë të fazës së ligës në Champions.

Të mërkurën mbrëma në “Emirates”, Arsenali fitoi 3:1 ndaj Bayern Munchenit. Ishte përballje e skuadrave që kishin vetëm fitore në katër xhirot e para. Por tani është vetëm Arsenali që i ka fituar të gjitha pesë ndeshjet në Champions. Arsenali udhëheq në tabelë me 15 pikë, tri më shumë se PSG-ja, Bayerni, Interi e Real Madridi.

Ndeshja në Londër ishte shumë interesante.

Për 1:0 në të mirë të Arsenalit shënoi Jurrien Timber në minutën e 22-të. Dhjetë minuta më pas supertalenti 17-vjeçar, Lennart Karl shënoi për 1:1.

Me këtë rezultat përfundoi pjesa e parë. Noni Madueke ktheu epërsinë e Arsenalit me golin për 2:1 në minutën e 69-të.

Ndërkohë Gabriel Martinelli shënoi për 3:1 në minutën e 77-të, duke shfrytëzuar një dalje të gabuar të Manuel Neuerit.