Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, ka thënë se kualifikimi i Kosovës në Kampionatin Evropian të vitit 2028 është “objektiv i qartë dhe i arritshëm”.
Përmes një postimi të gjatë në faqen zyrtare të Federatës së Futbollit të Kosovës, Ademi ka paraqitur të arriturat e futbollit kosovar gjatë një dekade në UEFA.
Kosova ishte pranuar në UEFA më 3 maj 2016.
“Këtë maj, Kosova shënon një moment të paharrueshëm në historinë e saj: 10-vjetorin e anëtarësimit në UEFA dhe FIFA. Dy data brenda të njëjtit muaj, me peshë të jashtëzakonshme historike. Një jubile që përbën gur-themelin e historisë moderne të futbollit tonë dhe një kapitull të rëndësishëm në konsolidimin e shtetësisë së Kosovës. Më 3 maj 2016, në Kongresin e Budapestit, u mbyll një epokë izolimi dhe u hapën dyert e familjes evropiane. Sakrifica e gjatë u shndërrua në krenari, ndërsa shpresa mori formë konkrete në arenën ndërkombëtare të futbollit. Vetëm dhjetë ditë më vonë, më 13 maj 2016, në Kongresin e FIFA-s në Mexico City, Kosova u pranua edhe në familjen botërore të futbollit. Në kongresin e parë të presidentit aktual Gianni Infantino, Kosovës iu dha mirëseardhje zyrtare, duke vulosur një moment historik të pakthyeshëm”, ka shkruar Ademi.
Ai e vlerëson të jashtëzakonshëm rrugëtimin e Kosovës.
Ka përmendur ngjitjen e Kosovës në Ligën B të Ligës së Kombeve dhe arritjen në plejof kualifikues për Botëror.
Ka përmendur edhe sukseset e ekipeve të tjera përfaqësuese dhe sukseset e Ballkanit dhe Dritës.
“Rrugëtimi i deritanishëm na jep besim të palëkundur se kualifikimi në ‘Euro 2028’ tashmë është një objektiv i qartë dhe i arritshëm”, ka shkruar Agim Ademi.
Dhjetëvjetori i pranimit në UEFA, sipas Ademit, e gjenë FFK-në më të fortë se kurrë. Të regjistruar janë 14 mijë e 449 futbollistë, prej tyre 643 futbolliste. Janë 1693 trajnerë e 434 gjyqtarë.
Ademi ka përmendur projekte e angazhime të shumta të FFK-së, ndërsa ka shkruar edhe për ish-presidentët e Federatës.
“Me mirënjohje kujtojmë kontributin e kryetarëve të FFK-së: Agim Bytyqi, Rexhep Abdullahu, Sabri Hashani dhe legjendës sonë të pavdekshme, Fadil Vokrri, por edhe të gjithë bashkëpunëtorëve të tyre ndër dekada. Mirënjohje e thellë për gjeneratën e artë, për gjeneratën e sakrificës e për të gjitha gjeneratat që nuk patën mundësi ta shfaqin talentin e tyre në Evropë, por që mbetën frymëzim për brezat e sotëm”.
Udhëheqësi i FFK-së pret “dorën e shtetit” për të përfunduar stadiumet që po rinovohen e ndërtohen dhe për ndërtimin e Stadiumit Nacional.
“Ky projekt është më se i nevojshëm për të dëshmuar pjekurinë tonë si shoqëri dhe për t’u ofruar Dardanëve një shtëpi të dinjitetshme”.



























