Legjendat e boksit Manny Pacquiao dhe Floyd Mayweather janë pajtuar që të përballen për herë të dytë në ringun profesionist. 

Pacquiao 47-vjeçar dhe Mayweather 48-vjeçar do të përballen në Sphere në Las Vegas më 19 shtator, ndërsa meçi do të transmetohet drejtpërdrejt në Netflix, shkruan “BBC”. 

Ish-kampioni i botës në disa kategori Mayweather njoftoi javën e kaluar se do të rikthehet sërish në ring. 

Për Mayweatherin do të jetë meçi i parë profesionist që nga viti 2017 kur e mposhti me nokaut teknik në raundin e dhjetë Conor McGregorin. Mayweather i ka fituar të 50 meçet e zhvilluara në boksin profesionist. 

Pacquiao ishte pensionuar nga sporti në vitin 2021 duke u koncentruar në karrierën politike, por u rikthye në korrik të vitit të kaluar dhe barazoi me Mario Barriosin në luftën për titullin WBC në kategorinë velter. Filipinasi ka bilanc prej 62 fitore, 8 humbje e tri barazime. Është boksieri i vetëm që ka fituar titull bote në tetë kategori të ndryshme. 

Mayweather ishte përballur për herë të parë me Pacquiaon në maj të vitit 2015 në atë që u cilësua si “Meçi i Shekullit”. 

Mayweather triumfoi me vendim unanim. 

“Floyd dhe unë i dhamë botës atë që mbetet meçi më i madh në histori të boksit. Tifozët kanë pritur mjaft gjatë. Ata meritojnë revanshin. Dua që Floyd ta përjetojë humbjen e parë në karrierën profesioniste dhe ta mbajë në mend se kush ia ka shkaktuar”, tha Pacquiao. 

Mayweather u shpreh i bindur në fitore. 

“Kam boksuar dhe e kam mposhtur Mannyn njëherë. Edhe kësaj radhe rezultati do të jetë i njëjtë”, tha amerikani.