Përzgjedhësi i Kosovës në futboll, Franco Foda, pranon se ndeshja kundër Sllovakisë do të jetë e vështirë. Por trajneri gjerman në konferencën për media të mërkurën ka thënë se Kosova synon fitore në Bratislavë.

Ndeshja Sllovaki – Kosovë luhet të enjten mbrëma në Bratislavë. Dueli gjysmëfinal i plejofit kualifikues për Kupën e Botës që këtë vit zhvillohet në SHBA, Meksikë dhe Kanada, luhet të enjten nga ora 20:45.

“Kemi bërë përgatitje të mira gjatë grumbullimit. Jemi përqendruar në pjesën taktike. Jemi përgatitur mirë për të dëshmuar që mund të fitojmë, ashtu siç kemi bërë ndaj Islandës, Sllovenisë dhe Suedisë”, ka thënë Foda.

Foda insiston se Kosova ka gjasat e saj për kualifikim në Botërorin e këtij viti.

Ai ka theksuar se ekipi është rritur në vitet e fundit.

“Kur kam nënshkruar kontratën me Federatën e Futbollit të Kosovës qëllimi ka qenë për t’u kualifikuar në Evropianin e ardhshëm. Por kemi pasur rritje dhe tash që kemi arritur në këtë pikë, do të provojmë për t’u kualifikuar në Botëror. Na është dashur të bëjmë përmirësime gjatë kësaj rruge dhe pastaj janë bashkuar futbollistë të rinj me ne të cilët kanë ndikuar në rritjen e ekipit. Tashmë po shohim përpara me synime të mëdha”, ka thënë Foda.

Foda është pyetur se cili do të jetë reagimi nëse lojtarët do të përballen me provokime dhe thirrje anti-Kosovë.

Tekniku gjerman ka theksuar se fokusi i lojtarëve të Kosovës do të jetë vetëm fitorja në fushë.

“Kemi një punë të vetme këtu në Bratislavë dhe ajo është fitorja. Fokusi është të fitojmë ndeshjen. Gjithçka tjetër nuk më intereson”, është përgjigjur Foda.

Foda është pyetur po ashtu nëse pengesë për lojtarët do të jetë moti i lig. Por gjermani thotë se të dyja përfaqësueset do të përballen në rrethana të njëjta në Stadiumin Nacional të Bratislavës.

“Më kanë treguar që do të jetë mot tjetër, do të jetë ftohët dhe me shi. Por kjo nuk duhet të na pengojë. Do të luajmë të dyja ekipet në rrethana të njëjta. Kemi luajtur edhe në të kaluarën në mot të tillë. Futbollistët duhet të ndjenjë kënaqësi në fushë për ndeshjen e rëndësishme”, thotë ai.
59-vjeçari ka refuzuar të zbulojë formacionin startues ndaj Sllovakisë. Ai ka vlerësuar të gjithë lojtarët e grumbulluar për ndeshjen e rëndësishme ndaj sllovakëve.

Ai ka thënë se Edon Zhegrova është i rëndësishëm për Kosovën, por nuk ka zbuluar nëse do të paraqitet si titullar ndaj Sllovakisë.

“Të gjithë që janë të ftuar janë të rëndësishëm. Edoni nuk ka pasur minuta mjaftueshëm në fushë te Juventusi, por mbetet i rëndësishëm për ne. Të gjithë i dimë cilësitë e tij. Por se a do të paraqitet Edoni nesër, duhet të prisni. Nuk mund ta zbuloj tani”, ka thënë Foda.

Krah Fodas në konferencë u paraqit edhe sulmuesi i Mallorcas, Vedat Muriqi.
Sulmuesi shtatlartë ka theksuar se Kosova është gati për të fituar ndeshjen ndaj Sllovakisë.

“E dimë rëndësinë e ndeshjes. Besoj se kemi pasur tri stërvitje të rëndësishme për ne. I dimë pikat e forta dhe dobëta të Sllovakisë. Jemi në prag të historisë dhe pres ndeshje të barabartë nga të dyja palët. Unë personalisht dhe gjithë ekipi jemi gati për betejën”, ka thënë Muriqi.
Në mungesë të kapitenit të lënduar, Amir Rrahmani, shiritin do ta bartë Muriqi.

Muriqi thotë se është i gatshëm të marrë çdo përgjegjësi mbi supet e veta. Ai po ashtu ka theksuar se është i gatshëm të gjuajë penallti, nëse do të jetë rasti gjatë ndeshjes.

Muriqi foli edhe për mbrojtësin Martin Valjentin. Ai ka vlerësuar bashkëlojtarin e tij te Mallorca.

“Kemi diskutuar për këtë ndeshje me Martin Valjentin. Ai ka qenë lojtari më i afërt që më ka ndihmuar brenda dhe jashtë fushës. E kam krahun e majtë timin. Jemi afër që nga dita e parë deri më sot. Është profesionist dhe kam respekt. E do shtetin e vet shumë. Gjithmonë e ka përkrahur edhe kur nuk është ftuar. Do të ishte betejë interesante mes meje dhe Martinit”, ka thënë Muriqi.

Muriqi është bindshëm golashënuesi më i mirë i “Dardanëve” me 32 gola.

“Jam i përgatitur dhe e rëndësishme është që të paraqitemi mirë. Kam thënë se nuk më intereson të shënoj gol, por të marrim fitore kolektive. E dimë rëndësinë e ndeshjes. E di sa i rëndësishëm jam për ekipin, por jo për të shënuar gol por për të dalë fitues”, ka thënë Muriqi.

Nëse Kosova kalon Sllovakinë, në finalen e 31 marsit luan në “Fadil Vokrri” kundër fituesit të gjysmëfinales tjetër ndërmjet Turqisë dhe Rumanisë. Vetëm fituesi siguron biletën për në Botëror.