Ndihmës trajneri i Prishtinës, Debatik Curri ka komentuar pagat e futbollistëve dhe lajmin se transferi i Prishtinës, Sabien Lilaj, është më i paguari në Kosovë, shkruan VAR Kosova.
Curri ka mohuar se mesfushori i njohur shqiptar Sabien Lilaj, është më i paguari në Kosovë. Sipas tij, futbollistët më të paguar në elitën e futbollit tonë janë dy mbrojtësit e Ballkanit, Armend Thaqi dhe Bajram Jashanica.
“Dy lojtarë tek Ballkani janë më të paguar se sa lojtarët që kanë ardhur tek ne. Bajram Jashanica dhe Armend Thaqi janë lojtarë më të paguar se sa lojtari që e kemi marrë ne (Sabien Lilaj). Është fjala për pagë vjetore”, ka deklaruar Curri për Duelin Sportiv.
Lilaj, ish mesfushori Skënderbeut, erdhi me bujë të madhe në Prishtinë dhe mediet vendore kanë raportuar se paga vjetore e tij arrin shifrën 83 mijë euro.
Jashanica u transferua nga Skënderbeu, ndërsa Thaqi nga Prishtina. /VAR Kosova/