Drita sot ka marrë rrugë drejt Varshavës së Polonisë, aty ku nesër në orën 20:30 do të ndeshet me Legian në kuadër të rrethit te tretë të Ligës së Evropës.

Skuadra gjilanase ka udhëtuar nga aeroporti i Tiranës, derisa sonte në orën 20:00 pritet ta zhvillojë stërvitjen fundit.

Kapiteni i Dritës, Ard Limani, i cili edhe shënoi një gol të bukur në sfidën e kaluar kundër Sileksit, në një bisedë për “Zeri.info” ka thënë se gjasat që ai të luajë janë shumë të vogla, pasi dje ka pësuar një lëndim në stërvitje.

“Sot e kemi një stërvitje nga orën 20:00 në Varshavë dhe do të shohim, por gjasat duket se janë të vogla që të luaj pasi bukur keq e kam lëndimin”, ka thënë për “Zeri.info”, Limani.

Ndeshja Legia – Drita luhet nesër nga ora 20:30 dhe do të jetë ndeshja më e madhe për klubet kosovare që është zhvilluar ndonjëherë, pasi asnjë skuadër më parë nuk ka arritur në këtë nivel të garave.