Marash Kumbulla është futbollisti më i mirë shqiptar i momentit. Pasi i dha fitoren Romës të enjten e kaluar në Ligën e Europës, futbollisti 20-vjeçar ishte sërish shpëtimtar i verdhekuqve në “San Siro” përballë Milanit, që ishte vetëm 6 minuta larg fitores.
Për paraqitjen e sotme në fushë ndaj kryesueve të kampionatit italian, Kumbulla u vlerësua nga “Sofa Score” me notën 7.2, ku rritja në vlerësim erdhi pas golit shpëtues për Romën në minutën e 84-rt.
Megjithatë, ndaj Milanit, Kumbulla u paraqit në mënyrë dinjitoze. Ai kreu 4 spastrime të topit nga zona, fitoi 4 nga 5 duelet në fushë dhe 2 nga 4 në ajër.
Nga ana tjetër, mbrojtësi shqiptar kreu 1 ndërhyrje të saktë ndaj rivalit, ndërsa realizoi saktë 84% të pasimeve.
Kumbulla u tregua i kujdesshëm në fushë ndaj kundërshtarit duke shkaktuar vetëm një faull.
Brenda pak ditëve, Marash Kumbulla është kthyer në figurën më të preferuar të Romës.