Nora Gjakova ka humbur në garën e kategorisë deri në 57 kilogramë të World Judo Masters, që po mbahet aktualisht në Qingdao të Kinës.

Ajo u mposht në rundin e parë, kur brenda 2 minutave e 3 sekondave u mposht nga koreania Jisu Kim dhe e mbylli këtu ëndrrën për t’i fituar Kosovës medalje.

Mirëpo xhudistja tjetër, Distria Krasniqi ka siguruar fitore në rundin e dytë kundër gjermanes Katharina Menz në rundin e dytë, pasi që rundin e parë e kaloi pa luftë, duke e siguruar kështu një vend në çerekfinale.

Xhudistja kosovare e vazhdoi luftën për medaljen e artë duke e mposhtur edhe xhudisten nga Kazakistani Otgonstetseg Galbadrakh në çerekfinale, ndërsa në gjysmëfinale u tregua shumë e fortë për Uranstetseg Munkhbat nga Moldavia.

Ajo tani është në finale dhe e ka të sigurt medaljen e argjendtë, mirëpo do të tentojë ta marrë atë të artë. Në këtë finale të madhe, kosovarja do të përballet me fituesen e ndeshjes mes sllovenes Marusa Stangar dhe xhudistes nga Moldavia Naransetseg Ganbaatar.