Ka pasur rritje të numrit të futbollistëve në Angli që kanë kërkuar mbështetje dhe këshilla të shëndetit mendor, që nga fillimi i masave të jashtëzakonshme, për të parandaluar përhapjen e koronavirusit.

Në tremujorin e parë të këtij viti, Shoqata Profesionale e Futbollistëve ka njoftuar se 299 lojtarë kishin qasje në mbështetje, krahasuar me 653 në tërë vitin 2019.

Disa klube kanë kërkuar marrëveshje me futbollistët, që t’ua zbresin rrogat për 25 %, e kjo po shihet si ndër arsyet e problemeve të shfaqura te futbollistët.

Drejtori i Shoqatës, Michael Bennett, ka thënë se është “i shqetësuar” pasi situata ka goditur futbollistët.

Disa kanë shqetësime financiare, ndërsa ka shqetësime edhe për lojërat e fatit.

Futbolli elitar në Angli – Premier League dhe tre divizione që përbëjnë Ligën e Futbollit Anglez – aktualisht është pezulluar në kohë të pacaktuar, pasi së pari ishte ndalur më 13 mars.