Kampioni botëror i futbollit, Francesco Totti ka përjetuar më shumë se 3 javë kritike pasi u infektua me Covid-19 dhe frika e tij e madhe ishte vdekja që më herët kishte marrë të atin nga ky virus i rrezikshëm.
Enzo Totti vdiq në moshën 76 vjeçare tetorin e kaluar. Kur ende nuk kishte marrë fund dhimbja e iavëve të para për humbjen e babait, i biri 44 vjeçar Francesco Totti u infektua edhe ai nga COVID-19.
Në gazetën italiane “Corriere della Sera”, Totti ka rrëfyer kalvarin me virusin gjatë muajit nëntor:
“Virusi u tregua tejet agresiv edhe me mua. Kalova një bronkit të rëndë, temperaturën e kisha për ditë të tëra 40 gradë, kolla nuk më ndalej dhe nuk kisha fuqi për asgjë. As më hahej dhe oksigjenin e kisha nën normalen diku të 89-90. E gjitha kjo zgjati për 24 ditë të tmerrshme”.
Totti pohoi se për arsye se kishte oksigjenin e ulët, iu kërkua shtrimi në spital por ai refuzoi pasi iu druajt vdekjes që mori të atin:
“Me këto parametra duhet të shtrohesha, por nuk pranova. Kisha frikë, për atë që i kishte ndodhur babait tim 2 muaj përpara. E kalova me antibiotikë, eparinë, kortizonikë. Por ka qenë shumë e vështirë”.
Duke pohuar se kishte frikë edhe për familjen, pasi gruaja, fëmijët, shërbyesit, të gjithë rezultonin pozitivë, Totti tha se në afro një muaj luftë me Covidin përjetoi edhe makthe:
“Përjetova makth të gjatë, që zgjati një muaj. Shihja se si ditët kalonin pasive, njëra pas tjetrës. Nuk shikoja asgjë, nuk reagoja, ishte një makth që zgjati një muaj e që një moment më bëri të mendoja për më të keqen. Ishte momenti kur pas 10 ditë injeksionesh dhe antibiotikësh, nuk kisha asnjë përmirësim. Aty u tremba keq”.
E gjitha kjo mori fund dhe Totti me familjen e tij janë çliruar tashmë nga ankthi i gjatë