Ylli turko-gjerman, Mesut Ozil ka reaguar kundër Superligës Evropiane, duke bërë një shkrim emocional në rrjetet sociale. Ozil ka shkruar se e ka të vështirë të kuptojë gjendjen e tifozëve të futbollit në të cilën gjenden pas zhvillimeve të fundit.
Ozil në rrjetin social Twitter ka shkruar se fëmijët rriten me ëndrrat për ta fituar Kupën e Botës dhe Ligën e Kampionëve dhe jo Superligën.
“Fëmijët rriten me ëndrrat për ta fituar Kupën e Botës dhe Ligën e Kampionëve dhe jo Superligën. Kënaqësi e ndeshjeve të mëdha është vetëm kur ndodhin një herë në vit ose dy, jo çdo javë. Me të vërtetë e vështirë të kuptojmë për të gjithë tifozët”.
Të dielën mbrëma futbolli evropian ka ndryshuar përgjithmonë. Me iniciativën për krijimin e Superligës Evropiane nga 12 klubet më të fuqishme evropiane, garat evropiane të organizuara nga UEFA ka marrë një goditje të fortë.
Mbrëmë është publikuar edhe dokumenti zyrtar i cili shpjegon formatin e Superligës dhe 12 klubet pjesëmarrëse.
Liverpool, Manchester City, Arsenal, Chelsea, Tottenham, FC Barcelona, Real Madrid, Atlético Madrid, Inter Milan, AC Milan dhe Juventus, janë klubet të cilat kanë krijuar Superligën Evropiane.
Megjithatë, krijimi i kësaj Superlige Evropiane është kundërshtuar njëzëri nga FIFA, UEFA dhe ligat e mëdha evropiane, duke i kërcënuar me përjashtim nga të gjitha garat.
Madje, UEFA ka njoftuar se të gjithë futbollistët të cilët marrin pjesë në këtë ligë nuk do të munden të përfaqësojnë më vendin e tyre.