Ish-futbollisti i Boca Juniors, kolumbiani Fabian Vargas, ka kujtuar një moment shumë të rëndësishëm në karrierën e tij, në të cilën është i përfshirë edhe Lionel Messi.

Ishte viti 2010 dhe Vargas luante në Spanjë te Almeria, kur u mposhtën nga Barcelona me rezultat 8-0.
Sidoqoftë, mesfushori tani 40-vjeçar i kishte bërë një kërkesë Messit para ndeshjes.

“Para ndeshjes, disa miq më thirrën për të kërkuar fanellën time për të nxjerrë në ankand për të ndihmuar viktimat në vendin tim, për shkak të përmbytjeve atë vit”, ka treguar Vargas për El Pais.

“Pasi që luanim kundër Barcelonës, shkova te Messi dhe i tregova atij situatën dhe e pyeta nëse ai do të mund të ma jepte fanellën e tij”, vazhdon rrëfimin Vargas.

Mirëpo, humbja 8-0 e hutoi secilin lojtarë të Almeria, përfshirë edhe kolumbianin Vargas. Ai kishte harruar se ia kishte kërkuar fanellën gjashtë herë fituesit të Topit të Artë.

“Isha aq i zemëruar dhe i trishtuar saqë harrova”, ka thënë Vargas.

Vargas harroi, por jo edhe Messi. Derisa Vargas ishte në zhveshtore, dikush nga stafi i skuadrës iu afrua dhe i tha se dikush po e kërkonte.

Dhe në derë ishte Lionel Messi, i cili dëshironte të fliste me Vargas.

“Dola jashtë dhe ai (Messi) ishte aty me një çantë të vogël”, ka treguar Vargas.

“E mbaj mend që më tha; ‘ja këto janë të gjitha fanellat që munda t’i mbledhë për ty’. E falënderova dhe e përqafova, duke menduar se ishte vetëm fanella e tij siç ia kisha kërkuar”, ka thënë Vargas.

Kur Vargas ishte kthyet në zhveshtore dhe kishte shikuar se çfarë ka në çantë, ishte befasuar.

“Kur e hapa çantën, nuk ishte vetëm fanella e Messit, por ishin edhe fanellat e Xavit, Iniestas, Dani Alves, Gerard Pique dhe Carles Puyol”, ka treguar Vargas.

“Kurrë nuk do ta harroj atë veprim. Uroj që ai të vazhdojë të thyejë rekorde. Për shkak të atij veprimi, do ta dua gjithmonë”, ka përfunduar rrëfimin Vargas./VAR Kosova/