Ka fituar 8 nga 12 edicionet e fundit të turneve të mëdhenj, në tre vitet e fundit, duke u barazuar me dy gjigantë të tenisit si Roger Federer dhe Rafael Nadal, në kuotën e 20 trofeve Slam të fituar gjithsej, megjithatë tani është e qartë që Novak Djokovic do ta mbyllë karrierën e tij të lavdishme pa një medalje të artë në Lojërat Olimpike, në “singles”.

Në moshën 34-vjeçare tenisti nga Serbia kishte me shumë gjasa tentativën e tij të fundit drejt një medaljeje të artë, në një Olimpiadë në ndeshjet teke, por numri 1 i botës u shpërfytyrua keqas në duelin me gjermanin Alexander Zverev, duke pësuar një ndër humbjet më të dhimbshme në karrierë. Nole zbarkoi në Japoni me idenë fikse për të ngadhënjyer në Lojërat e 32-ta Olimpike, për të vijuar në këtë mënyrë edhe ecurinë e tij stratosferike të vitit 2021, ku tenisti që kryeson klasifikimin e përgjithshëm botëror siguroi me radhë titujt në Australian Open, Roland Garros dhe Wimbledon.

Deri tani tenisti i mirënjohur ballkanas krenohej thjesht me medaljen e bronztë që kishte fituar në Olimpiadën e Pekinit, në vitin 2008, kur Novak Djokovic mposhti amerikanin James Blake 6-3, 7-6 në takimin përcaktues për vendin e tretë dhe të katërt, për t’u ngjitur në shkallën më të ulët të podiumit. Novak zbriti në kryeqytetin nipon në Ariake Tennis Forest Park, në Koto, në kompleksin e quajtur ndryshe Ariake Coliseum me objektivin për të siguruar edhe hallkën e katërt, që nevojitet për të plotësuar Slam-in e Artë. Deri tani një arritje të tillë të jashtëzakonshme që quhet Golden Slam e ka regjistruar në vitin e largët 1988 tenistja e famshme gjermane Steffi Graff, që sukseseve në Melbourne Park, Roland Garros, Wimbledon dhe Flushing Meadows iu shtoi gjithashtu edhe titullin në “singles” në Olimpiadën e Seulit, ku mundi në finale argjentinasen Gabriela Sabatini.

Djokovic u paraqit i qetë në fushën qendrore, pas plot 22 fitoreve rresht. Për herë të fundit Nole ishte mundur në tre sete në “Qytetin e Përjetshëm”, në Mastersin e Romës, në duelin final me “mbretin e fushave me dhe” Rafael Nadal. Që nga mesi i muajit maj në dy muaj e gjysmë praktikisht tenisti nga Serbia triumfoi radhazi në Beograd, Roland Garros dhe Wimbledon, duke mbërritur pra deri në fazën gjysmëfinale të turneut Olimpik, në Lojërat e Tokios.

Nole mori përpara pa humbur qoftë edhe një set kundërshtarë të tillë si Hugo Dellien nga Bolivia, Jan – Lennard Struff nga Gjermania, Alejandro Davidovich Fokina nga Spanja si dhe tenistin japonez Kei Nishikori, të cilin e shkatërroi në raundin çerekfinal, duke humbur vetëm dy game gjithsej. Të njëjtin rrugëtim pa humbur asnjë set pati gjithashtu edhe tenisti me origjinë ruse, por për hir të së vërtetës numri 5 në rruzull u përball me një kalendar më të lehtë se sa sportisti ballkanas.

Me mënyrën se si filloi u duk thjesht si një ndeshje rutinë dhe Nole mbylli shpejt e shpejt llogaritë e setit hapës me rezultatin 6-1. Në setin pasardhës ekuilibri zgjati për vetëm katër game, sepse më pas Djokovic e theu në servis rivalin gjerman. Pranë mesit të setit të dytë pra Novak Djokovic kishte avantazhin e një seti dhe të një game me break, kështu që për t’u kualifikuar për në takimin përmbyllës Noles i mjaftonte thjesht që të ruante turnin e tij të shërbimit.

Deri në duelin gjysmëfinal të Olimpiadës së Tokios Nole dhe Sascha ishin përballur 8 herë ndërmjet tyre dhe 24-vjecari nga Hamburgu kishte fituar vetëm dy nga këto sfida, sidoqoftë që të dyja finale. Bëhet fjalë për finalen e Mastersit të Romës në vitin 2017 dhe finalen e madhe të turneut përmbyllës të tetë më të mirëve të botës ATP World Tour Finals në Londër në vitin 2018, madje në të dy rastet Sascha triumfoi me shifrat identike 6-4, 6-3. Këtë herë raketa e katërt e kësaj olimpiade mblodhi veten dhe përmirësoi lojën, duke shkatërruar në cdo aspekt numrin 1 në planet, të këtij sporti. Nga disavantazhi 2-3 Alexander Zverev mori 10 nga 11 game-t në vazhdim, për të fituar krejt takimin me rezultatin 1-6, 6-3, 6-1, në diçka më tepër se dy orë lojë.

Në finalen e madhe të Olimpiadës së 32 Sascha do të masë forcat me rusin Karen Khachanov. Numri 25 i botës, që në Tokio mbante numrin 12 të turneut përmbysi parashikimet, duke mposhtur spanjollin Pablo Carreno Busta. Tenisti asturian që pozicionohet i 11 në renditjen botërore mbante në Tokio numrin 6 dhe 30-vjeçari nga Gijoni kryesonte 3-2 bilancin mes tyre, gjithsesi 25-vjeçari moskovit nuk u thye asnjëherë me break dhe ia doli për të fituar gjithë ndeshjen me shifrat identike 6-3, 6-3. Në këtë mënyrë në finalen e vogël, për vendin e tretë dhe të katërt, që vlen pra medaljen e bronztë, Novak Djokovic do të përballet pikërisht me tenistin iberik, Pablo Carreno Busta.