Federata e Futbollit të Zvicrës ka njoftuar se i është ndalur hyrja në stadiumet e futbollit zviceran tifozit që i veshi xhaketën me logon e UÇK-së Xherdan Shaqirit.
Shaqiri gjatë intervistës pas ndeshjes me Irlandën e Veriut (2-0) iu afrua një tifoz i cili ia vendosi në krah xhaketën me logo të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).
“Personi fajtor u mor në pyetje nga Policia dhe atij i është vendosur një ndalim i hyrjes në stadiume”, ka njoftuar Federata e Futbollit të Zvicrës.
Shtëpia më e madhe e futbollit zviceran gjithashtu ka reaguar ashpër ndaj këtij veprimi, duke e cilësuar si “propagandë politike”.
“Është e papranueshme, që personat keqpërdorin stadiumet e futbollit, e në këtë rast edhe intervistën e një futbollisti pas ndeshjes, për propagandë politike. Xherdan Shaqiri reagoi në mënyrë shembullore, qëndroi i qetë dhe nuk u përgjigj”, thuhet në reagim.




























