Federata e Futbollit e Kosovës më 10 prill e ka bërë publike një pako emergjente për komunitetin e futbollit në këtë kohë të vështirë për shkak të pandemisë së koronavirusit.

Pako ka vlerën e përgjithshme të mbi 550 mijë eurove dhe do të përfitojnë të gjitha klubet, nga Superliga deri në kampionatet e ulëta, gjyqtarët e delegatët, por edhe të punësuarit nëpër klube.

Shuma e përgjithshme që është ndarë për klubet e Superligë është në total 147 mijë euro për 12 klube.

35 persona në secilin klub të Superligë do të marrin nga 350 euro. Një klub i Superligës përfiton afërsisht nga 12 500 euro.

Klubet e Ligës së Parë përfitojnë së bashku 96 mijë euro që janë 16 sish, ndërsa të Ligës së Dytë që janë 16 do të marrin 60 mijë euro.

Fonde do të ketë edhe për klubet e Ligës së Tretë, atyre të futsallit si në Superligë ashtu edhe në Ligën e Parë, gjyqtarët dhe delegatët.

Ky projekt asistence është bërë nga fondet vetanake të FFK-së.