Përfaqësuesja e Egjiptit u ka bërë thirrje organizatorëve të Kupës së Afrikës që ta shtyjnë finalen e së dielës kundër Senegalit për të pasur më shumë kohë që të përgatiten pasi të enjten mbrëma e mposhtën Kamerunin në gjysmëfinale pas penalltive.

Te Egjipti po insistojnë se Senegali e ka një ditë më shumë për t’u stërvitur dhe për këtë arsye duan që finalja mos të luhet të dielën por të hënën, një ditë më vonë. “Dua t’u them të gjitha autoriteteve të Konfederatës së Futbollit të Afrikës se Senegali ka një ditë shtesë për t’u stërvitur dhe prandaj ndoshta duhet të luajmë finalen të hënën.

Kjo është kërkesa jonë”, tha ndihmëstrajneri i Egjiptit, Diaa al-Sayed. Egjipti e siguroi finalen vetëm pas penalltive pasi koha e rregullt e ndeshjes dhe vazhdimet përfunduan pa gola. Në penallti, Egjipti triumfoi 3:1.

Ndërkohë, Senegali pa telashe e eliminoi Bukrina Fason në gjysmëfinale duke fituar me rezultatin 3:1.