Edon Zhegrova u inkuadrua në minutën e 82-të në fitoren e thellë të Lillet të dielën mbrëma.
Lille fitoi 4:0 kundër Clermontit në kuadër të xhiros së 27-të në Ligue 1, ndërsa Zhegrova kontribuoi me golin e katërt që e shënoi në minutën e fundit të ndeshjes.
Ai pas ndeshjes është shprehur shumë i lumtur me golin, dhe ka thënë se synon të realizojë edhe më shumë gola për Lillen, pavarësisht se a luan titullar apo inkuadrohet nga banka rezervë.
“Unë punoj fort pavarësisht se a shënoj gol apo jo. Gjithmonë punoj shumë dhe kur trajneri më jep mundësinë të luajë, e jap më të mirën për skuadrën”, tha Zhegrova që te Lille u transferua në janar të këtij viti nga Baseli.
“E rëndësishme është për çdo lojtar që shënon gol dhe vjen nga banka e rezervistëve. Çdo herë që hyj në lojë, pavarësisht rezultatit, unë jap më të mirën. Çdo lojtar duhet ta bëj këtë”, u shpreh reprezentuesi i Kosovës, në një intervistë dhënë për mediumin “Le11Lillois”.
Zhegrova tregoi edhe për momentin se si e shënoi golin, por më shumë e kënaq trepikëshi që e mori skuadra.
“Mbi të gjitha, jam i lumtur që i morëm tri pikë. Ishte shumë e rëndësishme, ekipi luajti mirë dhe bëmë punë të mirë pasi fituam 4:0. Natyrisht, jam i lumtur për golin tim të parë, shpresoj të vijnë edhe golat tjerë. “Desha të shutoj në gol, mbrojtësi e devijoi lehtësisht, por jam shumë i lumtur”, nënvizoi Zhegrova.
Transferimi i Zhegrovës te kampioni në fuqi i Francës kishte bërë bujë në fillim të vitit. Dhe në ambientin e ri, 22-vjeçari thotë se është pritur shumë mirë.
“Jam integruar shumë mirë në skuadër, me lojtarët tjerë dhe me stafin. Nga dita e parë, ata më pritën shumë mirë. Jam shumë i lumtur për këtë gjë”, thotë Zhegrova që e ka edhe mbështetjen e madhe nga tifozët e klubit.
“Tifozët gjithmonë më kanë përkrahur që nga dita e parë, jam shumë i lumtur. Shpresoj të festojë më shumë gola me ta në të ardhmen”, përfundoi ai.



























