Presidenti i Barcelonës, Joan Laporta, ka dhënë një intervistë për “Barça TV” me rastin e 1-vjetorit të ardhjes së tij në krye të klubit katalanas.
Laporta e vlerësoi këtë fazë të dytë si menaxheri kryesor i klubit dhe preku çështjen e mprehtë të largimit të Leo Messit. Ai mbrojti performancën e tij në ditët komplekse të gushtit të kaluar.
Presidenti blaugrana pranoi: “Largimi i Leo Messit ishte vendimi më i trishtuar nga të gjithë, nëse bëj një bilanc, nuk kam dashur kurrë ta marr atë, por as më vjen keq.
Unë e vendos institucionin mbi gjithçka. Barcelona është mbi trajnerët, madje edhe para lojtarit më të mirë në historinë e futbollit”.
Presidenti shpjegoi se nuk kishte zgjidhje tjetër, veçse të mos rinovonte me argjentinasin për shkak të situatës së trashëguar. Sado vullnet kishte për rinovim, u ndesh me një realitet dramatik financiar.
Për këtë, Laporta shtoi se një cikël i ri shpresëdhënës ka filluar: “Dukej se pas Messit nuk kishte më asgjë. Por ata që e duan Barçën e dinë se historia vazhdon, me punë dhe vendime të menduara mirë. Ajo mund të kthehet në rrugën e duhur, të suksesit”.




























