Joe Hart ishte zgjedhja e parë në portën e Manchester City deri në momentin kur në Etihad Stadium u shfaq trajneri Pep Guardiola. Tekniku spanjoll kishte ide të tjera për numrin një të portës ndërsa nënshkroi me Claudio Bravo dhe Willy Caballero, për ta dërguar anglezin në rolin e portierit të tretë.
Së fundmi, Hart i cili tashmë është pjesë e Celtic ka zbuluar disa detaje nga debati i tij me Pep Guardiolën që zgjati dy orë dhe ku trajneri i tha se ai nuk ishte profili i portierit që kërkonte.
“Guardiola kërkoi të bisedonte me mua, e njihte shumë mirë karrierën time, mënyrën si luaja, por pas dy orëve me tha se unë nuk isha portieri që atij i duhej. Më deklaroi se nuk mund të kishte të ardhmen për mua te City, ndërsa unë kundërshtova.
I kërkova një mundësi për t’i treguar vlerat, por ai e kishte marrë vendimin. Doja një mundësi për t’u trajnuar nga më i miri, por në atë moment unë nuk mund të luaja në mënyrën që ai kërkonte pasi kurrë më parë nuk e kisha provuar atë stil loje.
Më mori ëndrrën, por ndoshta kështu ishte i shkruajtur udhëtimi im. Njerëzit te City gjithnjë do të jenë në zemrën time dhe do t’iu jem mirënjohës për kohën që kalova aty”, u shpreh Hart.