Kosovës dhe në veçanti Prishtinës prej dy vitesh i ka munguar njëri nga festivalet që bëri bujë të madhe ndërkombëtare e zgjoi kureshtje për të njohur më shumë vendin e kulturën tonë.
Por, duket se pritjes së gjatë tashmë i erdhi fundi.
“Sunny Hill” është konfirmuar se do të rikthehet sivjet pas dy vitesh pauzë për shkak të gjendjes e përhapjes së vazhdueshme me COVID-19.
Dhe siç rëndom ndodh, duke marrë parasysh që ngjarja e madhe kulturore mbahet në fillim të muajit gusht, përgatitjet veçse kanë filluar.
Njëri prej organizatorëve të “Sunny Hill”, Alban Kastrati, në një bisedë për Telegrafin ka dhënë më shumë detaje rreth asaj se çfarë do të ketë këtë vit.
“Tashmë është konfirmuar që Sunny Hill Festival do të mbahet, dhe të gjitha përgatitjet janë duke u bërë që ky të jetë edicioni më i madh i Sunny Hill i bërë deri tani – si për nga numri i pjesëmarrësve që do të jenë pjesë në festival, poashtu edhe numri i artistëve performues”, ka thënë Kastrati për Telegrafin.
“Ky edicion do të zgjerohet e masovizohet, për tu shndërru në një platformë të madhe e cila mbështet shumë segmente të shoqërisë dhe krijon vlerë të rëndësishme ekonomike, sociale dhe kulturore për vendin tonë”, thekson ai.
Megjithëse festivali organizohet gjithnjë nën përkrahjen e Komunës së Prishtinës, Kastrati bën të ditur se janë në fund të diskutimeve, në mënyrë që “Sunny Hill” ta realizojë gjithë potencialin e vet.
“Natyrisht ne presim mbështetje të plotë nga Komuna e Prishtinës, Ministria e Kulturës dhe gjitha institucionet tjera relevante. Me Komunën e Prishtinës diskutimet janë në fazën finale, dhe kemi marrë zotime shumë të rëndësishme dhe të nevojshme nga Kryetari Rama dhe i gjithë ekipi i tij – në mënyrë që Sunny Hill ta realizojë gjithë potencialin e vet, për të sjellë dhjetëra mijëra njerëz në Prishtinë nga e gjithë bota, për të promovuar Prishtinën dhe gjithë Kosovën në mbarë botën (siç ka ndodhur në edicionet e kaluara), për të krijuar vlerë e ndikim të shumëfishtë për qytetin tonë”, vazhdon tutje ai.
Pavarësisht se është paksa herët për të zbuluar të gjitha detajet, premtohet se Prishtina sërish do të jetë në qendër të rajonit, e shumë vendeve në botë.
“Në pamundësi me i zbulu gjitha detajet, mund të themi se këtë verë Prishtina do ta merr sërish gjithë vëmendjen e rajonit, Evropës Juglindore e shume vendeve të ndryshme të botës, sepse do ta kemi një edicion të festivalit i cili do të përflitet e mbahet në mend gjatë, prej gjithë atyre që do ta kenë rastin ta përjetojnë”, thotë në vazhdim Kastrati.
Sa i përket lokacionit të festivalit, që është diskutuar shpesh e madje hamendësuar për vendet, në vitin 2019 ishte nënshkruar një marrëveshje nga ish-ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala dhe organizatori i “Sunny Hill”, Dukagjin Lipa, që nga viti pasues të mbahej në Bernicë.



























