Ballkani zbret sonte në fushë për sfidën e radhës në Conference League. Djemtë e Ilir Dajës do sfidojnë sërish Sivassporin, kundërshtar ndaj të cilit arritën suksesin e parë në historinë e klubit dhe të futbollit dardan në një duel grupesh në Europë.
Kampionët e Kosovës triumfuan me meritë 3-4 në tokën turke nëpërmjet një futbolli shumë të bukur dhe ofensiv. Sot do të guxojnë të arrijnë një tjetër fitore për të bërë krenarë tifozët e pranishëm në “Fadil Vokrri”, stadium ku janë shitur të gjithë biletat.

Por edhe për të mbushur arkat e klubit dhe xhepat e tyre, dhe për të hedhur një hap drejt kualifikimit, objektiv që në Suharekë nuk përbën më një ëndërr. Grupi E ka një balancë totale, të katërta ekipet numërojnë nga 4 pikë dhe janë në garë për t’u kualifikuar.
“Ballkani ka djem me personalitet dhe futbollistë me karakter. Kemi frymë grupi, të gjithë luftojnë në të dy fazat e lojës. Këto gjëra kanë ndikuar që Ballkani të jetë i barabartë në lojë dhe golavarazh edhe me ekipe që kanë më shumë buxhet dhe eksperiencë se sa ne.
“Stadiumi plot? Përgjegjësi më e madhe. Pritshmëria ndaj nesh është rritur duke llogaritur ndeshjet që kemi bërë, por duhet të vazhdojmë me të njëjtin ritëm dhe të qëndrojmë me këmbë në tokë”, deklaroi ditën e djeshme Ilir Daja në prononcimin për shtypin.





























