Ermal Krasniqi është sensacioni i vitit 2023 i futbollit kosovar.
Ish-futbollisti i Ballkanit ka shpërthyer në futbollin rumun me ekipin CFR Cluj dhe vlera e tij po rritet dita-ditës.
Rumunët e blenë atë për 200 mijë euro dhe menjëherë lojtari ofanziv u bë startues i ekipit të Dan Petrescut, madje duke debutuar me gol dhe me asistim në derbin kundër Farul.
Aktualisht, thuhet se 24 vjeçarin po e vëzhgojnë klubet italiane si Fiorentina, Torino, e mbi të gjitha Lazio, pasi atë e pëlqen trajneri Maurizio Sarri, që e pati rastin ta shihte në përballjen e këtyre dy klubeve në garat evropiane.
Krasniqi, i cili i ka realizuar katër gola për Clujin prej janarit, e ka dhënë një intervistë për mediumin rumun “ProSport”, për të cilin ka folur për eksperiencën në Rumani dhe për të ardhmen, përcjell “Gazeta Express”.
“Interesimi i Cluj ishte i madh dhe fakti që trajneri ynë, Dan Petrescu më donte këtu, më bëri të mendoja shumë kur e mora ofertën. Jam i lumtur që po drejtohem nga njëri prej trajnerëve më të mirë rumunë, i cili po ashtu ka qenë lojtar mjaft i mirë i vendit tuaj”, ka thënë fillimisht Krasniqi.
“Unë u përshtata shpejt dhe mjaft mirë sepse njerëzit në klub më mirëpritën dhe më ndihmuan shumë. Mendimi im është se niveli i futbollit në Rumani është më i lartë sesa ai në Kosovë”, vazhdoi futbollisti kosovar, i cili i lavëderon bashkëlojtarët, për të cilët thotë se janë të nivelit të lartë.
Tash flitet se klubi rumun i kërkon 5 milionë euro për kartonin e Krasniqit.
Por, a është kjo një vlerë reale për futbollistin kosovar?
“Nuk është në kompetencën time të flas për shifra. Krejt çka duhet të bëj unë është të luaj sa më mirë të jetë e mundshme për Cluj, dhe nëse më duhet të transferohem, presidenti i klubit do të vendosë se cila do të jetë oferta më e mirë”, nënvizoi tutje lojtari i krahut të majtë.
“Ndihem mirë që trajneri i ish-rivalëve tanë më ka lavdëruar. Jam i nderuar, por mbetem modest dhe mendoj se nuk i kam demonstruar ende krejt kualitetet e mia. Unë punoj çdo ditë që të bëhem më i mirë dhe vëmendja e një trajneri të madh si Maurizio Sarri më bën edhe më të motivuar çdo ditë. Mendoj se mund të luaj dhe ta përballoj çdo ligë evropiane. Por, për momentin vetëm po mendoj rreth zhvillimit dhe përparimit tim në CFR Cluj”, përfundoi Ermal Krasniqi.



























