Në një rrëfim special për revistën “World Soçer”, Armando Broja ka treguar gjithçka mbi karrierën e tij dhe të ardhmen me përfaqësuesen kuqezi. Bomberi i Chelsea-t është i bindur se Shqipëria e ka potencialin dhe talentin për të shkuar në fazën finale të një Botërori dhe gjithashtu ëndrra e tij më e madhe vazhdon të jetë fitimi i “Topit të Artë”.
I pyetur mbi periudhën e errët të muajve të fundit ku ka punuar mbi rikuperimin nga dëmtimi në gju, Broja tha: “Po rikuperohem shumë më shpejt nga sa ishte parashikuar nga mjekët. Të jem në gjendje të kthehem në palestër dhe të punoj me ushtrime force ka qenë një shtysë e madhe për mua pasi isha i detyruar të qëndroja në shtrat dhe të kaloja më shumë kohë në fizioterapi gjatë javëve të para pas operacionit”.
Ai është i bindur se është pjesë e projektit të Chelsea-t pasi klubi në fjalë i ofroi një kontratë 6-vjeçare. “Duket se është filozofia e pronarëve të rinj, planifikimi i të ardhmes dhe është një nder shumë i madh që më kanë besuar si një pjesë e rëndësishme e klubit. Chelsea më ka mbështetur shumë në karrierë dhe tani më takon mua t’ia shpërblej këtë besim. Sapo të kthehem nga dëmtimi, ky është qëllimi im më i madh afatshkurtër, për ta provuar këtë dhe do të më duhet të shfrytëzoj çdo mundësi që më del përpara”, tregoi Broja.
I pyetur mbi idhujt në futboll, bomberi shqiptar pranoi se inspirohej nga Cristiano Ronaldo dhe Ronaldo “Fenomeni”: “Çdo fëmijë donte të bëhej si Cristiano Ronaldo kur unë isha i vogël. Ai është një lojtar kaq i mrekullueshëm dhe ka qenë gjithmonë një frymëzim për mua e jam përpjekur ta imitoj teksa rritesha. Ndjehem sikur kam disa aftësi të ngjashme fizike me të dhe duke e vëzhguar vazhdimisht mendoj për përmirësimet që mund t’i bëj lojës time”.
Mes të tjerash ai komentoi edhe mbi marrëdhënien që ka me komisarin teknik të Shqipërisë, Sylvinho. “Kemi folur disa herë dhe ai erdhi në Angli për të më takuar. Ai është një person shumë i mirë dhe ka një vizion të qartë e të drejtpërdrejtë se ku dëshiron ta çojë ekipin. Është shumë inkurajuese. Ai ndan ambicien time për të shkuar në finalet e një Botërori dhe Europiani me Shqipërinë, por ne nuk kemi asnjë iluzion për faktin se ky objektiv do kohën e vet”, tregoi Broja.
Mbi kualifikimin në Botëror, Broja beson në grupin që ka Shqipëria: “Nuk kam asnjë dyshim që kemi plot talent aty dhe është një nder i vërtetë për mua të jem pjesë e këtij projekti. E pamë atë që bëri Maroku në Kupën e Botës dhe besojmë se nuk ka asnjë arsye pse ne si grup të mos e përsëritim diçka të ngjashme në të ardhmen. Ne kemi talentin për ta çuar Shqipërinë në Kupën e Botës për herë të parë në historinë e saj”.
Në fund mbi objektivat sulmuesi tha: “Në aspektin ekipor, objektivi im kryesor është të ndihmoj Shqipërinë të arrijë në finalet e një Botërori dhe të ndihmoj klubin të fitojë trofeun e Champions League. Në nivel personal, gjithmonë kam ëndërruar të fitoj Topin e Artë. Të gjithë mendojnë se kjo do të ishte një arritje e çmendur, por nuk do ta përjashtoja kurrë si opsion nëse vazhdoj të qëndroj në nivele të larta dhe të punoj shumë. Sigurisht, duhet të zhvillohem dhe të përmirësohem edhe më shumë, por nuk kam dyshim se është në dorën time të arrij një objektiv të tillë”.




























